
Përshëndetje të gjithëve!
Unë jam Ilir Kërçeli, i lindur dhe rritur në Prishtinë! I lindur më 21.07.1990, arsimimi ka qenë gurthemeli i rrugëtimit tim në jetë: shkollën fillore e përfundova në Dardani, të mesmen në Gjimnazin Sami Frashëri, ndërsa studimet e larta në Ekonomi dhe masterin në Administratë Publike dhe Qeverisje Dixhitale.
Jam baba i Malit, bashkëshorti i Nartës .
Jam rritur me pasionin për basketbollin. Loja ime profesionale nuk ishte vetëm sport, por një mësim i madh për jetën – për punën ekipore, për disiplinën dhe për ëndrrat që nuk dorëzohen.
Teknologjia dhe ekonomia moderne janë forca që më motivojnë tash e 15 vite. Bashkë me një ekip fantastik ndërtuam OnAir, një kompani që ka sjellë risi dhe mundësi të reja për Kosovën.
Në vitin 2019 mu besua nga Vetëvendosje! që të ndihmoj në krijimin e strategjive mediatike si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga viti 2021, pata privilegjin të shërbej si shef kabineti i kryekuvendarit Glauk Konjufca, duke u përballur me sfida dhe përgjegjësi që formësuan vizionin tim për drejtësi dhe të ardhme më të mirë.
***Gjithashtu jam anëtar i kryesisë së Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! të Prishtinës dhe delegat i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!
Sot, kandidoj për deputet për një arsye të thjeshtë, por shumë të fuqishme: rinia e Kosovës. Ju meritoni një zë që ju përfaqëson dhe fuqizon pasi ju ka dëgjuar. Unë perkrah parimet e Lëvizjes Vetëvendosje! andaj dua të luftojë për drejtësi sociale, për mundësi të barabarta dhe për një të ardhme ku çdo i ri dhe e re të ketë arsye të ndërtojë jetën këtu, në vendin tonë.
Ky është momenti ynë! Jam këtu për ju dhe me ju – sepse besoj që Kosova ndërtohet duke punuar të gjithë në Lëvizje, gjithë për Kosovën!
Prandaj po kërkoj mbështetjen e përkrahjen tuaj të jem pjesë e vazhdimit të punëve të mira të cilat Lëvizja i ka realizu për vendin tonë!
Numri im në Listën fituese të Lëvizjes Vetëvendosje është 68.